Toksikologia Suela Xhufi ka shpjeguar shenjat kryesore që mund të dallojnë prindërit tek një fëmijë që mund të ketë nisur përdorimin e lëndëve narkotike.
E ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ajo theksoi se simptomat ndryshojnë në varësi të substancës dhe reagimit individual. Xhufi tregoi se në rastin e opiateve zakonisht kemi zvogëlim të bebëzave të syve, ndërsa në rastin e kokainës dhe marijuanës zmadhim të tyre.
“Në radhë të parë do ketë eufori. Ka individë që kanë efekte si ankthi, rritje të frekuencës kardiake, fobitë, dhe këta pacientë janë me fat sepse nuk e përdorin më. Ka pacientë që ndiejnë një gjendje relaksimi, ndihen më të qetë, kanë një ndjenjë më pozitive ndaj përdorimit të drogës, këta janë fatkeq sepse do kthehen prapë. Nëse flasim për një fëmijë që ka filluar ta përdorë lëndën narkotike, çfarë duhet të shikojnë prindërit, në radhë të parë mund të shohin sytë. Bebëzat e syrit janë të rëndësishme. Në opiate zakonisht kemi zvogëlim të bebëzave të syve. Në rastin e kokainës dhe marijuanës kemi zmadhim të bebëzave të syve. Por këto ndryshojnë nëse ajo rri për një kohë të gjatë. Në marijuanë do kemi një skuqje të syve, në rastin e opiateve do kemi zbehje, pacienti bëhet si mermer. Në rast përdorimi të stimulantëve fillon pagjumësia, mund të rrijë 2-3 ditë pa gjumë, fillojnë rrathët e zinj të syve”, tha Xhufi. (A2 Televizion)