Fermerët e grurit në juglindje të vendit janë jo vetëm të zhgënjyer, por edhe të dëmtuar financiarisht me orientimin e dhënë nga qeveria dy vite më parë për të shtuar sipërfaqet e mbjella me grurë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Madje, qeveria akordoi edhe subvencione për të nxitur fermerët të shtonin sipërfaqet e mbjella. Por, dy vite pas këtij orientimi, fermerët ndodhen në momente mjaft të vështira. Sasira të konsiderueshme me grurë të pashitura, ndërsa sipërfaqet e mbjella kanë nisur të ulen që këtë vit. Arsyet i tregojnë vetë fermerët: “Edhe me çmimin ishim shumë keq. Vjen shumë nga Serbia me çmim shumë të ulët. Ne jemi totalisht të falimentuar. Kemi sa të duash grurë të pashitur”.
Situatën e pranon edhe drejtori i Bujqësisë në një prej bashkive që ka sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella me grurë, atë të Maliqit.
Të pyetur si e shikojnë të ardhmen në bujqësi, fermerët janë pesimistë: “Do marr fëmijët dhe do iki”.
Në Qarkun e Korçës këtë vit përllogariten të paktën 900 hektarë më pak të mbjella me grurë krahasuar me një vit më parë. (A2 Televizion)