Kullat e ujit në fshatrat Shënpjetër dhe Topoj të Bashkisë së Fierit që dikur furnizonin me ujë të pijshëm thuajse 24 orë qindra familje sot janë një rrezik për banorët e këtyre fshatrave, raporton A2 CNN. Degradimi ndër vite dhe mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që këto kulla të rrezikojnë shembjen e tyre.
Kush më shumë se banorët e zonës e ndjejnë këtë rrezik teksa kalojnë disa herë në ditë pranë këtyre kullave. “Ajo ka filluar dhe plasaritet dhe bien copat nga lart. I kanë dalë hekurat komplet. Kur fryn era, bien copat nga lart. Ka filluar po shpërbëhet”, thotë një banor. “Është 48 metra e lartë. Po ra bie në çati”, thotë një tjetër.
Madje banorët shprehen se do të ishte mirë që kullat t'i riktheheshin në funksion pasi furnizimi me ujë ka qenë më i mirë në kohën kur këto kulla ishin funksionale. “Ky shpenzim që është bërë këtu ka shërbyer aq shumë dhe aq mirë saqë ne e dimë, deri në vitin 1990. Bëni mirë ta riparoni edhe do keni dhe falënderime po të riparoni”, thonë ata. “Është e domosdoshme. Ajo u bë që të shpërndahet uji me orar në çdo fshat “.
Sakaq, nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve të Fierit, që ka në inventar këto kulla, askush nuk ka pranuar të prononcohet se çfarë do të bëhet me këto ngrehina që tashmë rrezikojnë edhe jetën e banorëve. (A2 Televizion)