Në prag të nisjes së muajit të Ramazanit, Imami Leonard Çela tregoi në “Dita jonë” në A2 CNN se cila është mosha më e përshtatshme për të miturit, për të agjëruar.
“Atëherë fetarisht obligim e kanë ata që janë të pjekur, të rritur. Pra fëmijët nuk e kanë obligim. E kanë obligim ata që janë besimtarë, që besojnë Zotin, të shëndetshëm, që janë myslimanë mbi të gjitha. Te fëmijët, mosha e pubertetit dhe pjekuria mendore është thelbësore në këtë çështje. Pra fëmijët të moshës 14-15 vjeç, faret nga fëmija. Ka fëmijë që mund të agjërojnë edhe më përpara, por nuk është obligim për ta, është zgjedhja e tyre e lirë”, tha Imami.
Sipas tij, të gjithë personat që agjërojnë në Ramazan duhet të jenë të shëndetshëm. “Sidomos ata që kanë sëmurje kronike, që janë të obliguar të marrin ilaçe, këta nuk agjërojnë. Edhe ne që jemi të shëndetshëm, por nëse marrim një udhëtim të largët, atëherë bie detyrimi”.
Imami Çela tregoi se të gjitha këto kategori që e kanë të pamundur të agjërojnë për disa ditë, kanë një fazë rikuperimi, pas muajit të Ramazanit, që të kompensojnë ditët që nuk kanë agjëruar. “Sigurisht, ata që kanë sëmundje kronike, qoftë në Ramazan, qoftë edhe jashtë Ramazanit, nuk mund të agjërojnë as edhe një ditë, as të bëjnë këto kompensimet. Për këta, që edhe këta të marrin sevapin e muajit të Ramazanit, ka një kompensim në aspekt monetar. Për çdo ditë të Ramazanit këta kompensohen me 400 lekë të reja, që i bie rreth 120 000 le të vjetra. Këto para, në këmbim të muajit të Ramazanit, ia japin një familje të varfër dhe kjo më pas për këta njerëz quhet sikur e kanë agjëruar Ramazanin”, shpjegoi Çela.
“Sepse Zoti do që në këtë muaj të Ramazanit kushdo të përfitojë nga mëshira e tij e madhe qoftë dhe ai që është i sëmurë e ka mundësinë që ta bëjë këtë. Gjithmonë nëse ka mundësinë ekonomike. Nëse jo, ai është përsëri i falur”. (A2 Televizion)