Të huajt në Vlorë. Shifrat gjithmonë e në rritje, mungon fuqia punëtore vendase

Nga Edi Ruçi
10 Tetor 2026, 14:36 | Sociale

Gjatë muajve të sezonit turistik në Vlorë nuk gjen vetëm turistë të huaj, por edhe punonjësit janë nga vende të ndryshme shumë larg Shqipërisë. Mijëra të rinj nga India, Filipinet, Egjipti etj., qëndrojnë me muaj të tërë në qytetin bregdetar ku punojnë kryesisht në sektorin e shërbimit.

Ardhja e tyre në Shqipëri bëhet kryesisht me agjenci, shkruan A2.

Rekrutuesja Lufta Khatun shprehet: “Ne kemi agjensitë tona në Indi apo Dubai por edhe në vende të tjera. Në këto agjensi sigurisht që kemi një staf aty, që bëjnë punësimet e personave që janë të interesuar. Pasi bëjnë intervistën, ne zgjedhim mundësinë më të mirë. Kur ata pranojnë kushtet e punës, kryejnë dhe një intervistë me pronarin. Pasi janë të gjitha palët dakort, ne prezantojmë tek ata kontratën e tyre”.

Sipas saj, kërkesat për punonjës nga vendet e Azisë janë shtuar shumë vitet e fundit: “Ne kemi shumë kërkesa nga shumë biznese në Shqipëri, si restorant, hotele, fabrika, supermarket. Kemi kërkesa nga kudo sepse Shqipëria dhe veçanërisht Vlora është në zhvillim e sipër. Punonjësit tanë në Vlorë punojnë kryesisht në shërbim, si kamarier, banakier, pastrues, shitës në supermarket. Mund të them se paga që marrin punonjësit tanë këtu në krahasim me atë që përfitojnë në Indi për të njëjtën punë është 4 herë më e lartë”.

Arlind Hanaj, administratori i një restoranti në Vlorë tregon se punonjësit e huaj kanë qenë zgjidhja e vetme për të plotësuar stafet, pasi mungon fuqia punëtore vendase.

Punonjësit që jetojnë dhe punojnë në Vlorë shprehen të kënaqur, sipas tyre paga është e mjaftueshme dhe shtojnë se ua sugjerojnë dhe miqve të tyre eksperiencën në Shqipëri.

“Unë kam kontratë 1-vjeçare, të cilën mund ta rinovojë, do të shohim. Pagesa këtu për mua është shumë mirë. Për të gjithë Filipinasit ju them se këtu është shumë mirë që të vish të punosh pasi mund të fitosh goxha”, thotë një nga punëtorët.

Numri i të punësuarve të huaj përgjatë verës ka qënë i lartë, ndërsa këtë vit fuqia punëtore vendase nuk po plotëson kërkesat për punë as në vjeshtë dhe dimër, duke bërë që edhe pas sezonit veror, punësimet e shtetasve të huaj të jenë sërish në rritje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos