Përmbytjet në fushën e Maliqit, dëme në tokat bujqësore. Ndërhyrja, një urgjencë

Nga Artin Halili
10 Tetor 2026, 14:23 | Sociale

Mbi 600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit u përmbytën nga reshjet e dendura të dimrit të kaluar, ndërsa fermerët vijojnë të përballen me problematikat e kullimit. Zgjidhja shihet te ribonifikimi i fushës.

Sipas Drejtorit te Bujqësisë në Bashkinë Maliq, Aurel Zenunllari, Ministria e Bujqësisë ka siguruar financimin për këtë investim: “Është siguruar financimi nga Ministria e Bujqësisë për ribonifikimin e fushës së Maliqit. Ky është një lajm shumë i mirë, pasi bëhet fjalë për një investim madhor që do të ndikojë drejtpërdrejt në parandalimin e përmbytjeve. Gjithashtu, ky investim pritet të përmirësojë sistemin e ujitjes, duke krijuar kushte më të mira për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë në këtë zone”.

Eksperti i bujqësisë, Ylver Bylykbashi, vlerëson se për zgjidhjen e problemit nevojitet një ndërhyrje e plotë në sistemin e kullimit: “Zgjidhja për fushën e Maliqit është ribonifikimi, që nënkupton pastrimin e kanaleve kulluese në thellësinë e duhur dhe pastrimin e shtratit të lumit Devoll. Në pjesët ku niveli i tokës ka rënë nën nivelin e lumit, është i domosdoshëm ndërtimi i një hidrovorri, i cili do të mundësojë largimin e ujërave nga kanalet kulluese dhe derdhjen e tyre në lumë. Kjo është e rëndësishme për të shmangur përmbytjet e përsëritura të tokave bujqësore”.

Fusha e Maliqit shtrihet në rreth 13 mijë hektarë, nga të cilat 6 mijë hektarë janë zonë torfike.

Rreth 500 hektarë nga sipërfaqja e përmbytur gjatë dimrit të kaluar ndodheshin pikërisht në këtë zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos