
Shkollat e larta hapin dyert për studentët. Afro 20 mijë të rinj janë studentë të viteve të para dhe 70% e tyre kanë zgjedhur universitetet publike. Ndërkohë, vijojnë regjistrimet për plotësimin e kuotave të lira.
Universitetet në mbarë vendin nisin vitin e ri akademik. Më shumë se 120 mijë të rinj rikthehen në auditore për të tri ciklet e studimit, ndërsa 20 mijë janë studentë të viteve të para. Emocionet janë më të mëdha për të rinjtë e fakulteteve, të cilët kanë arritur të bëjnë realitet dëshirat e tyre për profesionin e së ardhmes.
Edhe këtë vit, peshën më të madhe të pranimeve e mbajnë universitetet publike. 70% e të rinjve kanë zgjedhur fakultetet shtetërore, ndërsa pjesa tjetër shkollat e larta private.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka zgjedhur Universitetin e Durrësit për të uruar studentët dhe pedagogët.
Ndërsa të rinjtë e Mjekësisë së Përgjithshme, sipas traditës, kanë bërë betimin dhe më pas kanë veshur bluzat e bardha të mjekut. Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, u kërkoi jo vetëm përkushtim në mësime, por edhe empati gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Ndërkohë, në universitete vijon raundi i tretë i regjistrimeve. Ish-maturantët që ende nuk kanë fituar asnjë degë mund të regjistrohen në çdo fakultet ku ka kuota të lira. (A2 Televizion)