Më shumë se dy gra në ditë diagnostikohen me kancer të gjirit në vendin tonë. Kjo është sëmundja tumorale më e përhapur tek femrat, ku vetëm vitin e fundit janë zbuluar 805 raste të reja. Në nisje të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, drejtoresha e sapoemëruar e ISHP-së nisi detyrën me një mesazh për gratë dhe vajzat, duke i ftuar për kontrolle periodike, shkruan A2 CNN.
Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë, por edhe shkaktari kryesor i vdekjeve tek gratë. Çdo vit në vendin tonë humbin betejën me këtë sëmundje 224 gra. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se rritja e rasteve vihet re tek grupmosha 50–70 vjeç, ku problemi mbetet diagnostikimi në stade të avancuara.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik flasin për 25 mijë mamografi të kryera gjatë një viti në të gjithë vendin. Gjatë depistimit rutinë janë zbuluar 50 raste me kancer të gjirit. Vitin e fundit është vënë re një rritje e rasteve edhe tek meshkujt, megjithëse në shifra shumë më të ulëta krahasuar me femrat. Gjatë vitit 2024 kanë rezultuar me kancer të gjirit 10 burra të moshës mbi 50 vjeç. (A2 Televizion)