Një pakujdesi e një banori të zonës që ndezi zjarr në tokën e tij të mbjellë me ullishtë, bëri që të digjen mbi 100 hektarë sipërfaqe me drurë frutorë, ullishte dhe pyje në zonën e Drenovës në Mallkastër.
Pas tre ditësh përpjekjesh me flakët që riaktivizoheshin herë pas here dhe arrinin të digjnin brenda disa sekondave pemët e pishave dhe ullinjtë, më në fund me ndihmën edhe të forcave të ushtrisë flakët në këtë zonë duket se janë vënë nën kontroll, shkruan A2.
Përgjegjësi i Mbrojtjes Civile në prefekturën e Fierit ka edhe një apel për fermerët që rëndom djegin barërat e këqija në tokat e tyre: “Të shmanget ndezja e zjarreve gjatë kësaj periudhe. Mos ndizni zjarr në hapësirat e hapura apo tokat bujqësore”.
Sakaq, burime pranë Policisë së Fierit bëjnë me dije se për rastin e zjarrit në Drenovë është identifikuar dhe ndaluar personi që e shkaktoi atë në tokën e tij. (A2 Televizion)