Para se të vendosni degët ku do të aplikoni për shkollë të lartë, dëgjoni më parë edhe ofertat e universiteteve. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Akli Fundo, tregon të rejat dhe ngjarjet më të rëndësishme që do të ndodhin që nga ky vit akademik në institucionin që ai drejton, shkruan A2 CNN. Për herë të parë në Universitetin Politeknik do të hapet Kampusi Francez i Universitetit të Teknologjisë së Kompienjës. Nga ky bashkëpunim, jo vetëm akademik, do të hapen dy degë të reja: një program studimi në inxhinierinë kompjuterike dhe një tjetër në inxhinierinë elektronike.
Ndërsa në vitin e tretë të marrëveshjes mes dy universiteteve, do të dyfishohet numri i studentëve në këto degë, si dhe do të hapet një tjetër program studimi shumë i kërkuar nga tregu europian.
Rektori i Universitetit Politeknik thekson për maturantët dhe prindërit e tyre se pranimi në degët që ofrojnë dy diploma njëherësh, shqiptare dhe franceze, nuk do të bëhet me konkurs. Aplikimi i vetëm do të bëhet përmes formularit A2 CNN në portalin U-Albania.
Hapja e dy programeve të studimit nga Universiteti i Kompienjës në Tiranë realizohet pas 17 vitesh punë dhe marrëveshjeje akademike mes dy institucioneve. 3 milionë euro do të jetë kostoja financiare për Universitetin Politeknik për këtë risi, ndërsa pala franceze do të investojë 1.2 milionë euro.
Mësimet do të zhvillohen në gjuhën shqipe dhe në atë franceze. Ndërkohë, studentët do të ndjekin edhe kurse intensive në gjuhën frënge për të arritur nivelin e nevojshëm të njohjes së saj. (A2 Televizion)