Virozat mbushin urgjencën në Kukës, mjeku bën thirrje: Mos merrni antibiotikë pa recetë

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 11:43 | Sociale

Virozat mbushin urgjencën në Kukës, mjeku bën thirrje: Mos

Dimri ka sjellë një fluks të shtuar pacientësh në urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht regjistrohen rreth 120 vizita në ditë, ku pjesa më e madhe e rasteve lidhen me virozat e stinës dhe gripin sezonal.

Nëndrejtori i Spitalit Rajonal të Kukësit, mjeku Emin Fehrati, bën me dije se grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të rriturit, të cilët paraqiten kryesisht me simptoma të infeksioneve respiratorë, shkruan A2 CNN.

Një problematikë shqetësuese gjatë kësaj periudhe mbetet përdorimi i antibiotikëve pa rekomandim mjekësor. Mjeku Fehrati u bën thirrje farmacistëve që të mos japin antibiotikë pa recetë të mjekut specialist, duke theksuar se përdorimi i pakontrolluar i tyre mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin.

Nga ana tjetër, drejtuesit e spitalit sigurojnë se Spitali Rajonal i Kukësit është i furnizuar me medikamente dhe serume, të nevojshme për përballimin e virozave të stinës.

Sipas mjekëve, fluksi i pacientëve të prekur nga virozat dhe gripi pritet të mbetet i lartë edhe në javët në vijim. Për këtë arsye, bluzat e bardha apelojnë për kujdes maksimal dhe shmangie të vetë-mjekimit, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos