Shqiptarët e Kosovës nuk udhëtojnë dot në Spanjë, vendi nuk i heq vizat as pas liberalizimit

Nga A2 CNN
21 Prill 2023, 14:41 | Kosova
Shqiptarët e Kosovës nuk udhëtojnë dot në Spanjë,

Shtetasit e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë dot lirshëm në Spanjë, edhe pasi liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi, nga 1 janari i vitit 2024. Vendimi u mbështet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, por Spanja e cila nuk i njeh pasaportat e Kosovës, nuk do të lejojë udhëtimin pa viza. Këtë e konfirmoi një zëdhënës i komisionit Europian.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, përveç një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, përveçse në njërin prej tyre”.

Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Europian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

Vendet e tjera mosnjohëse të pavarësisë janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Por ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Vendimi për liberalizimin u miratua nga parlamenti europian më 18 prill, me dokumentin që u nënshkrua një ditë më vonë. Ai parashikon që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen nga 1 janari i vitit 2024. Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos