
Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, komentoi riatdhesimet e shtetasve shqiptarë nga Siria.
“Ju falënderoj së pari për zërin që i dhatë familjeve shqiptare që kanë të afërmit në kampin Al-Hawl. Ai është kamp mbijetese, këtë e kanë thënë të gjithë ata që janë intervistuar nga ju. Deri tani, janë kthyer 25 gra dhe fëmijë. Kanë mbetur edhe 30 të tjerë, gra dhe fëmijë”, tha Gurra për A2.
Sipas tij, kjo problematikë ka nisur që në vitin 2010.
“Nisja e kësaj problematike nuk ka nisur në 2013, kur kanë shkuar në Siri. Fillesa është që kur në Shqipëri, dukshëm në disa zona, nisi ndërtimi i objekteve të kultit larg vëmendjes së çdo autoriteti. Më duhet që të flas sepse është problematikë që përfshin të gjithë kombin dhe shoqëria u damkos në aspektin fetar dhe kombëtar. Edhe Komuniteti Mysliman duhet të ishte më i vëmendshëm ndaj shqetësimit të besimtarëve asokohe. Sepse nuk mund të imagjinohet që një hoxhë të shërbejë në xhami dhe të jetë larg bashkërendimit me institucionin e vet, në këtë rast me Komunitetin Mysliman. Njerëzit kanë humbur shumë, pjesëmarrja në atë luftë ishte një njollë. Ajo luftë nuk ishte as luftë fetare, as çlirimtare”, tha Gurra.
“Ende mbetet xhamia e Unazës së Re pa komunikim dhe bashkëveprim. 6 vite pas arrestimit që bëri shteti, Komuniteti Mysliman nuk ka akoma mbikëqyrje mbi këtë xhami. Shembull tjetër është xhamia e Mëzezit, por që është zgjidhur tashmë duke u koordinuar. Shumica e problematikave vijnë nga mosdëgjimi, nuk dëgjohen kategori të caktuara njerëzisht dhe problematikat fryhen, duke u bërë serioze edhe për shtetin”, shtoi ish-myftiu i Tiranës.
Në lidhje me riintegrimin e grave dhe fëmijëve të kthyer nga Siria, Gurra u shpreh: “I kuptoj ata që e shikojnë me dyshim rikthimin e njerëzve nga kampi Al-Hawl, por në raport me dhimbjen e familjarëve të tyre, dyshimi duhet të lihet pas krahëve. Gratë dhe fëmijët që kanë shkuar atje nën diktatin e bashkëshortëve apo vëllezërve, nuk kanë asnjë rrezikshmëri. Sigurisht që 8 vite nuk barazohen me 8 ditë, do të marrë kohë riintegrimi, por nëse komuniteti do t’i shohë pa diskriminim, ata do ta kenë më të lehtë. Pjesa e burrave është ndryshe, por ajo nuk është në rend dite”. (A2 Televizion)