Tanket izraelite rrafshojnë qytetin e Gazës, evakuimi i pashmangshëm, ndihma bujare për ata që shpërngulen në jug

Nga Rosalba Bejdo
27 Gusht 2025, 20:32 | Bota

Tanket izraelite rrafshojnë qytetin e Gazës, evakuimi i

Evakuimi i qytetit të Gazës është i pashmangshëm. Është ky mesazhi që u përcjell palestinezëve ushtria izraelite, teksa përgatitet të pushtojë qytetin kryesor të enklavës bregdetare ku po depërton gjithnjë e më thellë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, thuhej se familjet që do të shpërnguleshin në jug do të siguronin ndihma bujare humanitare.

Tanket izraelite avancuan në një zonë të re të Gazës përgjatë natës, duke rrafshuar banesa, duke plagosur disa persona e duke detyruar të tjerë të arratisen.  Me mijëra janë shpërngulur tashme, të nxitur nga avancimet izraelite, kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku vijojnë te jetojnë rreth 1 milion palestinezë.

Izraeli shpalli në fillim të gushtit planin për të pushtuar të gjithë territorin, duke nisur nga qyteti i Gazës të cilin e përshkruan si bastionin e fundit të Hamasit.

OKB dhe organizata jo qeveritare kanë paralajmëruar se ofensiva në qytetin me popullsi të dendur do të ketë pasoja të tmerrshme humanitare.

Në orët e vona të së martës, tanket izraelite hynë në distriktin e Ibad Al Rahman, në periferinë lindore të qytetit duke shkatërruar një sërë banesash. Banorët rrëfejnë për shpërthime të forta dhe shpërngulje masive të qytetarëve.

Ndërkohë bombardimet kanë vijuar edhe në periferi të tjera të qytetit, të tilla si Shejaiya, Zeitoun dhe Sabra. Ushtria njoftoi në një deklaratë se trupat e vet ishin angazhuar në luftime në zonën e Jabalias, ku siç pretendon kishin eliminuar një celulë terroriste dhe kishin lokalizuar një depo armësh.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos