Shqiptarët po ikin! Sulka: Sot po ikën pjesa më e shkolluar, Bajraba: Nuk ka përkeqësim, janë rritur aspiratat

Nga A2 CNN
10 Janar 2019, 00:14 | Aktualitet

Statistikat tregojnë që dhjetëra mijëra shqiptarë po ikin çdo vit nga vendlindja e tyre. Sinjal i përkeqësimit ekonomik dhe social, mungesa e shpresës për të ardhmen apo një rritje e aspiratave për sa i përket mirëqenies?

Në studion e A2 u përballën dy ekspertë të sektorit me mendime të kundërta mbi këtë çështje kaq të rëndësishme dhe aktuale: Kastriot Sulka, drejtori i institutit për studimet ekonomike dhe sociale dhe Kosta Bajraba, ekspert i çështjeve të emigrimit.

Kastriot Sulka dhe Kosta Bajraba

Sipas Sulkës, shifrat zyrtare nuk tregojnë dimensionin e vërtetë të dinamikave të emigrimit nga vendi, dhe arsyet i atribuon në veçanti faktorit ekonomik dhe atij psikologjik, që “ka të bej me mungesën e shpresës”.

Edhe pse Bajraba pajtohet me paqartësinë e numrave, “ku është metodologjia, nuk ka institucion që mat fluksin e emigrimit”, ai mendon që emigrimi është nj´valë e vazhdueshme, dhe se pak e dinë që “shqiptarët që kthehen janë më shumë se ata qepo ikin”.

Ai dyshon edhe te sondazhet, si ato të Gallup, që evidentojnë dëshirën e shqiptarëve për të emigruar: “Matja e dëshirës për të emigruar nuk është matje e potencialit të emigrimit. Maten përpjekjet dhe jo dëshirat”.

Por sipas Sulkës, problem madhor i tendencave migratore të fundit në vend është fakti që “më parë iknin njerëz që kishin pak ose aspak për të humbur”, ndërkohë që sot ikin njerëz që statusin që mund të kenë në Shqipëri: “Studentet e mjekësisë tashmë fillojnë kurset bashkë me ato të gjermanishtes”, pohon Sulka.

Edhe në këtë pikë Bajraba mendon ndryshe, “ky nuk është sinjal i përkeqësimit të ekonomisë së tyre apo konditave të punës, por të rritjes së aspiratave personale”.

Po a do të kenë pasoja emigrantët në sektore që sot nuk mendohen, si për shembull në skemën e pensioneve?

Sipas Bajrabes, emigracioni nuk ndërhyn në skemën e pensioneve, dhe problemi është “informaliteti i brendshëm”, ndërkohë që për Sulkën “ ata që një ditë do të kthehen do të marrin, sipas marrëveshjeve me vendet e tjera, edhe leket nga vitet që kanë punuar jashtë vendit”, duke rënduar në mënyrë fatale në buxhetin e Shtetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos