
Presidenti Ilir Meta u pyet ditën e sotme në lidhje me ngurrimin për të dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe dekretimin e ministrave 4 ministrave të rinj.
Meta u shpreh se do të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese. Ai thekson se ministrat që vijnë nga politika janë dekretuar menjëherë, ndërsa për të tjerët, Meta thotë se po verifikohet integriteti.
Pyetje:Kushtetuta ju jep një rol një rol të rëndësishëm si pikë reference për politikën e jashtme. Ngurrimi juaj për të mos dekretuar shkarkimin e Bushatit dhe për të mos dekretuar zëvendësimin e tij, a është kjo pjesë e një ridimensionimi të rolit të Presidentit të Republikës në politikën e jashtme të vendit?
Presidenti Meta: “Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues.”
Pyetje: Kushtetuta thotë: Ministri mishëron cilësitë e deputetit. Kandidati i propozuar për ministër të Jashtëm, si ju rezulton deri tani?
Presidenti Meta: “Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale.” (A2 Televizion)