Shtrenjtimi i energjisë elektrike, biznesi: Po paguajmë shumë, detyrohemi të rrisim çmimet

Nga A2 CNN
3 Mars 2022, 17:06 | Ekonomi
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, biznesi: Po paguajmë shumë,

Fatura e energjisë së bizneseve është rritur ndjeshëm duke ngritur alarmin për një krizë falimenti për sipërmarrjet. Nëse në muajin dhjetor të vitit të kaluar një biznes i lidhur në tensionin e mesëm paguante 11 lekë deri në 12.6 lekë për kilovatorë me një total fature 300 mijë lekë, për muajin janar të vitit 2022 ky biznes sot paguan 18.8 deri në 21.6 lekë për kWh.

Shqetësimi ndihet kryesisht në industrinë prodhuese, ku sipas kryetarit të shoqatës “Pro-Export, Edvin Prence shtrenjtimi me 35% vjen si pasojë dhe e mungesës së transparencës për energjinë e importuar.

Dalja në tregun e lirë dhe mungesa e një burse energjetike, sipas bizneseve do të pengojë mundësinë për investime në çdo sektor dhe do të rrisë kostot e prodhimit, që do të faturohen tek konsumatorët. Alarmi ngrihet dhe nga industria përpunuese e miellit ku nga 1 janari fabrikat e miellit po e paguajnë 300% më shtrenjtë energjinë elektrike.

Bizneset e mëdha nuk mund ta përballojnë të vetme këtë rritje të çmimit të energjisë, ndërkohë që subvencioni i parashikuar deri në muajin qershor krijon shumë pasiguri për të ardhmen. Pak ditë më parë, Shoqatat e Biznesit kanë kërkuar bashkëpunimin e qeverisë për të stimuluar investimet në hidrocentrale dhe formave alternative të prodhimit të energjisë dhe të bëjë funksionale sa më parë Bursën shqiptare të energjisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos