
Ishte ndoshta mjeshtri i fundit i kinematografisë të shekullit të XX, padyshim i fundit i kategorisë të regjisorëve artistë. Në rastin e Bertoluccit, poet.
Karriera e regjisorit të madh i cili ndërroi sot jetë në moshën 77 vjeçare në Romë filloi pikërisht në botën e letërsisë, me çmime prestigjioze te fituara, ai që edhe babanë Attilio e kishte poet të njohur.

Shumë shpejt vëmendja e tij u përqendrua në “artin e shtatë”, siç quhet kinematografia, fillimisht si asistent i Pier Paolo Pasolinit, më vonë si protagonist duke filluar nga vitet ‘60 me filma revolucionar si Prima della Rivoluzione, që krijuan debat tek kritikët dhe admirim tek elitat artistike.
Bertolucci realizon kryevepra si Il conformista (Konformisti), por famën ndërkombëtare e merr vetëm në 1972 me filmin Ultimo tango a Parigi (Tango i fundit në Paris), ndoshta një nga më skandalozët e gjitha kohërave me skenën e famshme të marrëdhënies “të ndaluar” midis Marlon Brando dhe Maria Schneider, që tronditi opinionin publik të kohës dhe përfundoi në gjyq duke u censuruar në Itali deri në vitin 1987.

Regjisorit iu deshën vite dhe kryevepra e tij vizuale për të bërë paqe me opinionin publik duke u rehabilituar si mjeshtër i kinematografisë. Në 1987 l’Ultimo imperatore (Perandori i fundit) , historia e pinjollit të fundit të dinastisë kineze, fiton 9 çmime Oskar dhe ndërkombëtarizon talentin e tij.
Ky film shënon kulmin e karrierës së tij, që vazhdon me ulje dhe rritje por gjithmonë me një stil unik me filma si Piccolo Budda (Buda i vogël) dhe The dreamers (Ëndërrimtarët), deri në filmin Io e te (Unë dhe ti) të vitit 2012.
Me shuarjen e regjisorit të lindur afër Parmës, një epokë e lavdishme e kinemasë evropiane mbyllet përgjithmonë. (A2 Televizion)