
Një “Nissan Micra” është automjeti me të cilin dyshohet se Sebastian Mali koordinoi lëvizjet e vrasësve të Hekuran Billës.
Makina e marrë me qira është fiksuar disa momente para se viktima të hynte për në zonën e Komunës së Parisit.
Fillimisht, makina qëndron e parkuar në krahun tjetër të rrugës dhe pas sinjalizimit të vrasësve largohet nga vendngjarja.
Sipas dosjes së prokurorisë, Sebastian Mali ishte paraqitur në një biznes të dhënies së makinave me qira me një automjet tip “Smart”. Makina dyshohet se fillimisht është marrë nga Viktor Marku kur u fut nëpërmjet kufirit të gjelbër në Shqipëri. Ai u ka kërkuar punonjësve të marrë një automjet më të madh dhe të parkonte mjetin tip “Smart” në biznes.
Gjatë marrjes në pyetje, 22-vjeçari u ka thënë hetuesve se do takonte të dashurën dhe do bënin pazare, por nga këqyrja e filmimeve doli se ai ka qëndruar për disa minuta i parkuar pikërisht në zonën ku hyri makina e 40-vjeçarit Hekuran Billa.
Sipas policisë, pasi ka sinjalizuar atentatorët ata janë vënë në lëvizje dhe kanë dalë nga parkingu i një biznesi aty pranë çka do të thotë se prisnin sinjalizimin e Malit për kryerjen e krimit. (A2 Televizion)