
Teksa prezantonte raportin mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2022, Naureda Llagami u pyet nga Gazment Bardhi se cilat janë kriteret me të cilat KLGJ përzgjedh kandidatët.
“Kemi nevojë të dimë pse KLGJ zgjedh një kandidat në raport me një kandidat tjetër. Si e bëni promovimin në gjykatat përkatëse? Kjo është një praktikë e paligjshme. E dëmshme. KLGJ-ja të rishohë praktikën e ndjekur deri tani”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor shpjegoi se ajo që ky institucion nuk ndan me publikun është verifikimi i figurës së kandidatit dhe kjo pas këshillimit me agjencitë ligjzbatuese.
“Kemi folur më të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe ato na kanë orientuar që nuk mund t’i deklasifikojmë informacionet rreth kandidatit.”
Megjithatë, Llagami u shpreh e gatshme për krijimin e një grupi pune për të adresuar problematikat nëse do të jetë e nevojshme. (A2 Televizion)