Si ndikon konfliktualiteti politik tek biznesi?

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2019, 00:41 | Ekonomi
Si ndikon konfliktualiteti politik tek biznesi?

Në A2 Business Week u fol për biznesin, i gjendur në vështirësi mes klimës së acaruar politike dhe marrëdhënieve aspak të mira me shtetin. Të ftuar në studio ishin Elton Haxhi, zv.ministër i Financave; Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve dhe në lidhje të drejtpërdrejtë Mark Crawford, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Sipas Gjikës, sipërmarrësit si ai në Shqipëri duhet të gjykohen “si heronj”.

Pengesa thelbësore për të është “moszbatimi i ligjit”, një mungesë  që po shndërrohet “në vrastare për biznesin”.

Ai futet edhe në detaje. “Të marrim rimbursimin, pse duhet të bëj sherr unë ndërkohë që ato lekë më takojnë?”, ndërkohë që shteti llogarit kamatëvonesat në mënyrë të përpiktë. Ai akuzon edhe disa metoda tëtepërta të organeve tatimore, aty ku “në qoftë se i ke 100 euro tatimeve, të bllokohen gjithë numrat  e llogarive, edhe po pate 2000 punëtorë”.

Elton Haxhi mendon ndryshe, dhe preferon të bazohet te shifrat.  “Numri i bizneseve të reja që nga 2016 janë 38 mijë”, dhe ironizon, “mos janë  mijë heronj?”.  

Por për të edhe fitimi është indikator, "196 miliard në 2017,  10% më shumë se viti i mëparshëm".  

Për sa i përket TVSH-së, sipas tij problemi qëndron te “disa investime  strategjike, që kanë krijuar një presion të madh në gjendjen e TVSH”. Por thotë edhe që “ në 2019 do të rimbursohen 19 miliardë lekë”.  

Mark Crawford, edhe pse në përgjithësi e sheh “pozitivisht” klimën ndaj investimeve në Shqipëri, nuk mungon të nënvizoi se investitorët kanë përshtypje të mire, “por pastaj mund  të ndërrojnë mendje” kur vinë e flasin konkretisht.

Dhe bën një shembull konkret, të një investitori amerikan i cili ishte gati për të investuar, por që tensioni politik i ditëve të fundit po e bënte të lëkundej.

Për Haxhin, ndikimi i tensioneve politike mund të jetë deri diku “psikologjik”, por jo empirik dhe, sipas tij, nuk ndikon në tregun  e brendshëm”, duke shtuar se kjo varet edhe nga zgjatje e kësaj klime të tensionuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos