Si ribëhet opozita? “Duke u larguar nga modeli i kryetarit të përhershëm”

Nga A2 CNN
13 Janar 2022, 22:42 | Politikë
Si ribëhet opozita? “Duke u larguar nga modeli i kryetarit të

Në studion e “Absolut 4” me Blendi Salajn, në A2 CNN, u diskutua mbi mënyrat se si mund të ngrihet opozita shqiptare.

“Nëse duam të bëjmë një opozitë në këtë vend, kryetari i saj duhet të jetë një njeri i cili është i fortë vetëm për shkak të vendimeve të mençura të tij dhe zgjidhjeve që ka dhënë. Jo për shkak të gërmave të statutit, apo blindimit me çelik. Ngjarjet e së shtunës kanë çuar në një nevojë ulëritëse që t’i largohemi modelit të kryetarit të përhershëm dhe t’i afrohemi modelit që negocion dhe mban përgjegjësi për vendimet e veta. Kreu i opozitës nuk mban përgjegjësi, nuk hap garën dhe nuk negocion me askënd. Ky model duhet braktisur”, deklaroi analisti Dritan Shano.

Ndërsa Gazment Oketa theksoi: “Nuk mendoj se zgjidhja mund të vijë nga zoti Basha apo zoti Berisha. Basha nuk ka bërë asnjë lëvizje politike të zgjuar, është për të ardhur keq që përfaqësuesit e opozitës mund të fitojnë kredo duke u viktimizuar. Dalin nëpër video sikur po bëjnë kronika nga lufta në Afganistan. Ajo është ngjarje e shëmtuar për të gjithë shoqërinë, por nuk mund të rriten vlerat politike duke hedhur baltë mbi kolegët. Ka rrugë të tjera për të bërë politikë”.

Kryeredaktori i A2 CNN, Elert Yzeiri u shpreh se “pas 9 shtatorit, opozita ka vdekur klinikisht”.

Ndërsa analistja Edlira Gjoni nënvizoi se Basha dhe Berisha nuk kanë ndryshim mes tyre: “Ngjajnë si dy pika ujë për mënyrën se si e kanë trajtuar PD-në. E kanë trajtuar si pronë private. Është e vështirë që të listohen gjëra pozitive”.

Nga ana e tij, Medlir Mema u shpreh se PD-ja është e vdekur dhe se ka ardhur koha për të krijuar një ofertë të re politike: “Duhet guxim për të krijuar diçka të re, ekziston mundësia në këtë rast. Duhet ndërtuar patjetër një klasë e re politike. Rreziku i madh për zotin Rama aktualisht është nga një lëvizje populiste. Rama nuk duhet të shqetësohet fare nga Partia Demokratike. Ekziston mundësia që të artikulojmë një platformë politike të krahut të djathtë, e cila është e qëndrueshme si ofertë politike dhe që reflekton vlerat tradicionale shqiptare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos