Si shihet procesi zgjedhor nga Prishtina? Profesori: Listat me numra do të jenë një xhungël, do të vuani

Nga A2 CNN
5 Prill 2021, 23:09 | Politikë
Si shihet procesi zgjedhor nga Prishtina? Profesori: Listat me numra do të

Po si shihet nga Kosova procesi zgjedhor në Shqipëri, tashmë që në Prishtinë ai ka përfunduar? Zgjedhjet aty u cilësuan si model nga shumë analistë, por kjo nuk do të thotë që mekanizmi zgjedhor kosovar të jetë i pakritikueshëm, dhe këtë e di më së miri profesor Fadil Maloku, sociolog dhe pedagog në universitetin e Prishtinës, por edhe anëtar për shumë vite të Komisionit Zgjedhor.

“Ne kemi një ligj zgjedhor më të komplikuar, nuk është produkt i një marrëveshje mes palëve politike,  kemi një copy-paste të imponuar nga ndërkombëtarët dhe nuk kemi patur mundësi të ndërhyjmë,  sipas meje është një këmishë e ngushtë që nuk përputhet me kulturën, mentalitetin dhe angazhimin tonë politik. Gjithsesi përtej dobësive, VV arriti të marrë atë numër mandatesh në Parlamentin e Kosovës”, thotë profesori i ftuar në Absolut 4.

Sipas tij, modaliteti me numra i fletës zgjedhore do të ketë kosto në rrjedhshmërinë e procesit. “Kjo që keni bërë me këto numrat janë një jungle, siç i thonë amerikanët,  një xhungël, dhe do ta vuani shumë. Shoh edhe djallëzi tek politikanët dhe mund të jete bërë me qëllim, për të krijuar pavlefshmëri të shumta”, thotë Maloku.

Po çfarë i bën më përshtypje analistëve nga Kosova për procesin zgjedhor në Shqipëri, dhe veçanërisht gjuhën e përdorur? “Për dallim nga ju, ne kemi patur shumë zgjedhje të parakohshme. Fushata zgjedhore është më produktive dhe efikase kur reduktohet në pak ditë, ju keni ende 3 javë, ndërkohë që kjo është kosto. Si shqiptar i Kosovës, më bën përshtypje gjuha e urrejtjes midis palëve në Shqipëri. Jo se ne jemi më xhentil, por ndoshta tek ne ndikon edhe mbikëqyrja ndërkombëtare, dhe kandidatët janë më të vëmendshëm. Gjuha juaj lë përshtypje që po kacafyteni, kam marrë pjesë në Shqipëri në shumë debate dhe më pas jam çmendur, si ka mundësi që me atë gjuhë në debat pastaj janë ulur duke pirë kafe” , tregon profesori kosovar në A2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos