
Në deklaratën për mediat pas primareve të PD, Sali Berisha foli sërish për protestën e 6 dhjetorit, duke përsëritur edhe njëherë tjetër se Bulevardi i takon protestuesve. Ai theksoi se “Rama ka frikë se protestuesit do t’i futen në kryeministri dhe do ta damkosin përpara Europës”.
“Do të vazhdojë fushata dhe protesta. Protesta do të jetë historike. Ftoj të gjithë anëtarët e PD, por edhe socialistët e ndershëm që të dalin në protestë.
Rama, Balluku, Çuçi e trajtuan protestën e opozitën, kjo tregon se ajo protestë është jetike për të ngritur zërin para Europës dhe Botës. Çuçi, pasardhës i një xhelati. Të duket e largët ora e protestës. Çuçi i drogës, Rama dhe Balluku janë mafie, ne jemi shqiptarët e vërtetë.
Bulevardi nuk ka asgjë të përbashkët me zonën e sigurisë. Zona e sigurisë ekziston, por jo aty ku thotë Rama. Është një tmerr i tij. Ai ka frikë se protestuesit do t’i futen në kryeministri dhe do ta damkosin përpara Europës. Bulevardi është i protestuesve, të cilët kanë parasysh që siguria e miqve nuk vihet në diskutim”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)