Shirat e rrëmbyeshëm që kanë nisur dje në mbrëmje kanë shfaqur rrezikun e përmbytjeve në shumë zona, duke qenë rrezik për prodhimin bujqësor.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në periudhën Janar-Gusht të këtij viti, eksportet bujqësore arritën vlerën e 22,7 miliardë lekëve, teksa qeveria parashikon rritje vjetore të tyre me 14%.

Por, nëse shirat vazhdojnë, edhe me sezonin e dimrit në prag, realizimi i një objektivi të tillë do të ishte i vështirë. Kjo është arsyeja që bizneset në sektorin e bujqësisë i propozojnë qeverisë një skemë, ku ajo të bëhet palë në mbulimin e primit të sigurimit të prodhimeve të tyre.
Eksperienca e viteve të fundit ka treguar se bujqësia shqiptare është rrezikuar shumë herë nga përmbytjet në periudhën e dimrit. Kjo veçanërisht në zonat bujqësore që ndodhen afër lumenjve. (A2 Televizion)