
Frenim, por jo rënie çmimesh. Rënia me 9% për qind i çmimeve të apartamenteve në Tiranë në fund të 2022-it, krahasuar me gjysmën e parë të vitit nuk pritet të zgjasë shumë sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme. Përkundrazi... së afërmi blerësit mund të përballen me çmime të rritura për disa kategori apartamentesh.
“Duket që ka njëfarë stabilizimi por nuk ka shenjë për një rënie të çmimeve. Ka një shtrenjtim akoma të çmimeve të objekteve drejt përfundimit duke qenë se janë pak apartamenteve. Mund të themi se kemi 10-15% të çmimeve duke u krahasuar me vitin që lamë pas”, thotë Erjon Alimema, agjent imobiliar.
Zonat me çmimet më të larta në Tiranë ndërkohë raportohen kryesisht më pranë qendrës, në ndërtesat e papërfunduara ku një pjesë e apartamenteve ende nuk janë shitur. “Apartamentet më të shtrenjta është kjo fasha e bulevardit duke nisur nga sheshi “Nënë Tereza” dhe deri tek bulevardi i ri ose më saktë ato që njihen në Tiranë kullat të cilat janë një numër i vogël, ato kanë një çmim që varion nga 3000-3500 euro për metër katror”, thotë Alimema.
Agjentët imobiliarë raportojnë sinjale mikse, si rritja e shitjeve, por edhe ulja e kërkesës për blerje shtëpish, kur shumë individë presin stabilizimin e interesave. “Kërkesa vazhdon të jetë e lartë dhe intesive për blerjen. Ajo që mund të them, ngërçi është vetëm për blerësit që financohen nga bankat për arsye se norma e interesit është rritur por dhe se të gjitha pronat që janë të pajisura me certifikatë pronësie dhe nuk kanë rivlerësimin e kanë bërë të vështirë afrimin me çmimin e tregut”.
Në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë 2022, Banka e Shqipërisë raportoi se çmimet e banesave në rang vendi ranë me 9 për qind në terma gjashtëmujorë, por mbetet rreth 17 për qind më ë larta në krahasim me nivelin mesatar të një viti më parë. (A2 Televizion)