Situata nga përmbytjet, Meta: Parashikohet përkeqësim i situatës, shteti të garantojë ndihmë

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 13:02 | Aktualitet
Situata nga përmbytjet, Meta: Parashikohet përkeqësim i

Situata e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit ka sjellë reagimin e  presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit kërkoi angazhimin e shtetit për të ndihmuar çdo qytetar të prekur nga përmbytjet. Meta bëri thirrje që të merren masa nga autoritetet qendrore dhe lokale për minimizimin e dëmeve dhe strukturat operacionale të qëndrojnë në gatishmëri.

Postimi i Ilir Metës

Vështirë të gjesh sot një rajon në Shqipëri, pa probleme nga reshjet e ditëve të fundit.

Dhjetëra shtëpi, biznese dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke, pronë private e publike, nga Veriu në Jug, janë gdhirë nën ujë, por ndihma e strukturave shtetërore për banorët mungon.

Mbi 10 banesa në Shijak dhe mbi 70 në Sukth 2 e Vadardhë kanë prezencë uji deri në 30 cm.

E njëjta situatë rezulton në Berat ndërsa paralajmërohet një përkeqësim i mundshëm i gjendjes në Qarkun e Fierit dhe të Korçës.

Raportet paraprake flasin për mbi 1500 hektarë tokë të përmbytur në NënShkodër dhe nga shkarkimet e detyrueshme në hidrocentrale situata do të rëndohet.

Sipas IGJEUM priten prurje masive edhe nga Vjosa, që mund të dalë nga shtrati në pjesën fundore duke shkaktuar përmbytje.

Në këtë gjendje të rënduar, nevojitet urgjentisht angazhimi i të gjitha strukturave qendrore e vendore për minimizimin e pasojave në prona dhe shmangien e çdo rreziku për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, Grupet e Kërkim-Shpëtimit e Evakuimit dhe Shërbimet Zjarrfikëse duhet të jenë 24/24 orë në terren pranë qytetarëve në nevojë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit, pa vonesë, duhet të përgatisin ndihmat ushqimore për familjet, që u janë përmbytur shtëpitë.

Ministria e Bujqësisë, menjëherë të dërgojë pranë banorëve në nevojë, bazën aq të nevojshme ushqimore dhe koncentratet për bagëtitë.

Ministrat përgjegjës për Mbrojtjen Civile të vendosin komunikimin konstant me strukturat vendore dhe publikun për parapërgatitje e reagim, për prioritetin absolut: sa më pak dëme në prona e bagëti dhe padiskutim mbrojtje të çdo jete njerëzore.

Të garantohet funksionimi me kapacitet të plotë i hidrovoreve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të monitorojë situatën në të gjitha akset, ku ka potencial rrezikshmërie për rrëshqitjen e tokës, me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të marrë masa urgjente për hapjen e çdo segmenti të bllokuar nga dëbora.

Të raportohet periodikisht për situatën dhe të vlerësohen me shumë seriozitet paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si i vetmi organ, që meriton vlerësime për përmbushjen me përgjegjësi të detyrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos