
Flakët e ferrit vazhdojnë të mbajnë të mbërthyer Australinë, ndërsa pyjet po digjen prej ditësh.
Autoritetet parlajmërojnë se zjarret masive në Uellsin e Ri Jugor dhe Queensland, rreth 150 të tilla, do të vazhdojnë të jenë një kërcënim, edhe pse kushtet katastrofike po lehtësohen disi.
Shane Fitzsimmons, komsioner i shërbimit zjarrfikës, tha: “Ne mund të presim rritje të rreziqeve nga zjarret nga mesi i javës që vjen. Nuk do të mund t’i vëmë nën kontroll të gjithë zjarret deri atëherë. Fatkeqësisht, ajo që na duhet është shiu”.
50 banesa u shkatërruan ose dëmtuan në Uellsin e Ri Jugor të martën, por nuk pati humbje të jetëve njerëzore. Flakët u përhapën edhe në perferitë e Sidnejt.
Organizata Meteorologjike Botërore tha se ndryshimet klimatike kanë kontribuar në situatën e zjarreve, por qeveria shmangu pyetjet lidhur më çështjen: “Klima e Australisë është ngrohur me mbi 1 gradë celsius që prej vitit 1910, duke çuar në rritje të frekuencës së të nxehtit ekstrem. Natyrisht që i nxehti luan një rol të rëndësishëm te zjarret”.
Mes qindra zjarrfikësve që po luftojnë prej ditësh me flakët është edhe një grua shtatzënë, e cila thotë se nuk ka në plan të heqë dorë nga beteja deri në shuarjen e zjarreve: “Është një nga ato gjëra që ti e di se çfarë duhet të bësh. Nuk ka të bëjë me mua, por me komunitetin, me ekipet në terren. Nëse jam në gjendje ta bëj punën, do ta bëj”.
Që prej së premtes, 3 persona kanë vdekur dhe rreth 200 banesa janë shkrumbuar. Situata është cilësuar si tejet alarmante, me zjarret që kanë krijuar kushtet e veta të motit rreth vatrave, ku janë formuar re dhe vetëtima. (A2 Televizion)