Sjellja e policisë, 10 efektivë të përjashtuar nga radhët e organizatës

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2022, 15:27 | Aktualitet
Sjellja e policisë, 10 efektivë të përjashtuar nga

Që nga shtatori kur mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, nuk ndoqi traditën e paraardhësve. Ai nuk e nisi punën me emërime apo me ndryshime drejtuesish në qarqe, por me një valë shkarkimesh.

Në një kohë kur nga radhët e uniformave blu ka dhe një numër të lartë dorëheqjesh, së fundmi edhe nga reparti ‘’Shqiponja’’, drejtori i përgjithshëm deri më tani ka përjashtuar nga policia plot 10 efektivë të rangjeve të ndryshme.

Më 28 shtator, Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia punonjës të patrullës së përgjithshme në komisariatin nr. 6 u filmuan teksa merrnin një shumë parash nga një drejtues mjeti.

Menjëherë pas pamjeve të transmetuara Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi shkarkimin e tyre. Më 16 tetor, Florenc Bicerri, efektiv i policisë rrugore arriti të kalonte nga aeroporti Nënë Tereza plot 30 kilogramë kanabis të ndara në dy valixhe.

Rasti u bë publik pasi u ndalua nga polica e Stambollit, ndërsa në Shqipëri përjashtimi i tij. Një javë më pas e njëjta histori ndodhi dhe me një tjetër efektiv të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Pogradec, pasi goditi një person i cili ishte ndaluar për kontroll.

Edhe në Devoll, shefi i krimeve Pashk Syziu u përjashtua nga policia pasi u akuzua për dhunë ndaj një qytetari. Rastet e shpërdorimit të detyrës u zbuluan dhe në komisariatin nr.1 në Tiranë, ku katër zyrtarë u penalizuan fillimisht me pezullim, por Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vendosi përjashtimin e tyre pasi kishin lejuar ndërtimin e një pallati pa leje.

I fundit që ka lënë radhët e policisë është Pjerin Lazri, shef i komisariatit të Pukës. Lazri u përjashtua menjëherë pasi pamjet filmike të denoncuara në media treguan se si ai kërcënonte me jetë një të shoqëruar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos