
Kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit. Ai tha se nuk ka asnjë informacion për destabilizim të situatës atje, por se Beogradi po përpiqet që përmes propagandës të frikësojë serbët lokalë në mënyrë që të bojkotojnë zgjedhjet.
Kurti foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi pas vendosjes së gurthemelit të objektit të ri të agjencisë kadastrale të Kosovës. Sipas tij, Serbia nuk po tregohet e përgjegjshme në zbatimin e ujdisë për të cilën u pajtuan në Ohër. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të detyrojë Serbinë të zbatojë plotësisht marrëveshjen.
Sakaq, presidentja Vjosa Osmani tha se Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz për Kosovën. Gjatë tryezës, “15 vite të mbikëqyrjes së sektorit publik të sigurisë”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Osmani theksoi se prania e NATO-s, është faktor kyç, për t’iu kundërvënë një qasjeje të tillë nga Beogradi.
“Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz ndaj Kosovës. Brenda territorit të Kosovës instrumentalizon strukturat kriminale, duke i paguar. Serbia vazhdon të paraqesë rrezik për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë kontekst, derisa të kemi këtë qasje ndaj Kosovës, prania e NATO-s është faktori kyç”, tha Osmani. (A2 Televizion)