Skandal në basketboll, përplasen dy presidentët, nuk zhvillohet ndeshja Goga Basket-Teuta

Nga A2 CNN
7 Mars 2020, 19:44 | Sporte të tjera
Skandal në basketboll, përplasen dy presidentët, nuk zhvillohet

Një përplasje mes dy presidentëve ka bërë që ndeshja e basketbollit mes Goga Basket dhe Teutës të mos zhvillohet. Ky takim i programuar në orën 17:00 nuk nisi për shkak se drejtues të ekipit të Gogës nuk lejuan presidentin e Teutës, Arqilea Gorea të futet në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.

Për këtë incident që solli tërheqjen e ekipit të Teutës presidenti Gorea është shprehur:

“Nga ana e Goga Basket ishte lëshuar një urdhër që unë të mos merrja kontakt me lojtarët e ekipit tim. Normalisht kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Jo në ambientet e Goga Basket, por në qytetin e Durrësit dhe në të gjithë vendin jam njohur si njeri me vlera. Një eksperiencë e vitit të kaluar dhe një viti më parë kur ky ekip na ka grabitur lojtarët dhe në mënyrë të pandershme ka bërë pelivanllëqe për të fituar kampionatin, ndërsa federata ka ndenjur indiferente, i ka dhënë këtij të drejtën që në rrugën e abuzimeve të pretendojë të fitojë kampionatin. Ka dy mënyra për të fituar kampionatin. Një në garë të ndershme sportive dhe tjetra duke i prishur punë ekipeve kundërshtare. Mendoj se kjo është strategji për të na prishur punë ne”, u shpreh presidenti Gorea.

Aktualisht pas 12 ndeshjesh Teuta udhëheq kampionatin me 22 pikë, 2 më shumë se ekipi i Goga Basket. Sezonin e kaluar këto dy ekipe ishin rivale të njëra-tjetrës për të gjithë trofetë e basketbollit në vend.

Pas tërheqjes së ekipit të Teutës gjyqtarët morën vendimin për fitore të Goga Basket me rezultatin 20 me 0. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos