
Gjykata e Vlorës ka liruar brenda 72 orësh, duke ndryshuar masën e sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitjeje, Lisja Myrtajn, efektivin e Delta Forcë i cili qëlloi me armën e detyrës ndaj një 24-vjeçari në Vlorë dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes me dashje e mbetur në tentativë.
Pavarësisht së akuza e përfaqësuar nga prokurori Albert Kulici ka kërkuar vlerësim të ligjshëm të masës së sigurisë dhe caktimin e masës së sigurimit personal arrest me burg, mbrojtja ka pretenduar se efektivi ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Por, nga rrethanat e ngjarjes sqaruar në detajet e hetimit që A2 CNN disponon, duket qartë se pretendimi i efektivit për vetëmbrojtje rrëzohet nga kamerat e sigurisë në vendngjarje, të cilat kanë regjistruar gjithçka. Sipas të dhenave të hetimit, të dy personat e përfshirë më herët janë takuar në Lungomare dhe kanë lënë vendtakim lagjen e efektivit të Deltës. Kamerat e sigurisë së një biznesi aty pranë kanë regjistruar të riun teksa parkon makinën dhe i drejtohet pallatit. Ai është regjistruar duke mbajtur duart në xhepa, teksa pret efektivin.
Kamerat e sigurisë nuk e kanë regjistruar të riun Bernard Alilaj me armë në dorë apo duke shtënë në drejtim të efektivit Myrtaj. Gjithashtu, në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 7 gëzhoja të armës së Myrtajt, të kalibrit 9 mm, dhe dy gëzhoja të paplasura në largësi të ndryshme nga vendi i ngjarjes.
Në dispozitivin e Gjykatës së Vlorës, ku sqarohen rrethanat e ngjarjes nga zbardhja e kamerave të sigurisë, hetimi ka arritur të zbulojë se Myrtaj është afruar në afërsi të automjetit të shtetasit Alilaj dhe pasi ndodh diçka (e paqartë ende për hetuesit), sipas deponimit të efekivit Myrtaj i riu mbushi armën dhe shtiu një herë në drejtim të tij. Këtu, Myrtaj kthehet dhe e qëllon me breshëri. Sipas të dhënave të hetimit, në vendngjarje nuk është konstatuar asnjë gëzhojë e plasur e të riut, veç atyre të armës së Myrtajt.
Megjithëse mungesës së provave filmike që vertetojnë alibinë e efektivit të policisë, gjykata ka vendosur lirimin e tij me kusht paraqitjen, me argumentin se efektivi nuk është larguar dhe në celularin e tij është gjetur një thirrje drejtuar 129, e parealizuar pas ngjarjes. (A2 Televizion)