“Spring Festival”, pranvera mbërrin në shesh me 11 ditë festë dhe pazar artistik

Nga A2 CNN
6 Maj 2022, 16:43 | Aktualitet
“Spring Festival”, pranvera mbërrin në shesh me 11

I kemi parë shtëpizat e drurit në Sheshin “Skënderbej” vetëm gjatë festave të nëntorit e deri në fillim të vitit, por ndryshe nga sa bizneset ofronin vetëm kulinari, tashmë shtëpizat i bashkohen dy skenave të instaluara aty për të pritur artistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Të gjithë bashkë janë bërë në emër të “Spring Festival”, një festivali pranveror që nisi me tingujt e muzikës së Dren Abazit.

Programi artistik vijon sot me trupën teatrale nga Maqedonia e Veriut që do të sjellë një shfaqje muzikal, por tingujt do të jehojnë çdo mbrëmje me muzikë nga bandat dhe këngëtarët më të mirë të trevave shqiptare.

Sheshi premton gjatë ditës pazar me produkte të artizanëve shqiptarë, por gjithashtu edhe një stendë ku gjithsecili mund të çojë sendet apo veshjet që nuk i përdor më për t'i rijetëzuar apo për t'i dhuruar.

Një tjetër risi e këtij festivali është edhe skena e dedikuar për fëmijët, e cila gjatë ditës do të presë artistët e vegjël, ata të cirkut kombëtar dhe shfaqje teatrale dedikuar publikut të vogël dhe të rinjve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos