
Taksa progresive, që ka hyrë në fuqi që në 2014 synonte një taksim të drejtë, ku ata që fitonin më shumë të paguanin më shumë. 8 vite më vonë, ky sistem taksimi nuk garanton një filozofi të tillë.
Kjo pasi ata që taksohen më shumë, më saktësisht me normën 23%, janë shtresa e mesme, ndërsa të pasurit, ose taksohen më pak, referuar biznesit ose bëjnë shmangie të taksave, pasi skema e lejon. Si në rastin e të vetëpunësuarve, që regjistrohen si biznes dhe për xhiro deri në 14 milionë lekë në vit, paguajnë 0% normë tatimore.
Aktualisht, me sistemin e taksës progresive që është në fuqi, më shumë taksohen individët me të ardhura të mesme. Më saktësisht, norma 23% e tatimit të ardhurat personale fillon për pagat mbi 150 mijë lekë në muaj. Taksim të lartë kanë edhe të dy punësuarit. Përveç Shqipërisë, taksë progresive për tatimin mbi të ardhurat personale aplikon Serbia dhe Mali i zi, ndërsa të gjitha vendet e tjera në rajon kanë taksim të sheshtë, 10%. (A2 Televizion)