
Turizmi është njëri nga dy sektorët, që së bashku me bujqësinë, mund të jenë motorët e zhvillimit ekonomik të vendit. Brenda 5 viteve, Shqipëria mund të presë të arkëtojë mbi 2 miliardë euro të ardhura në vit nga ky sektor, por kjo me kushtin që të zgjidhen problemet që pengojnë ecurinë e tij.
Një studim i fundit i Bankës Botërore vlerëson se cilat janë politikat që duhet të ndërmarrë qeveria dhe biznesi për të tërhequr turistë që shpenzojnë më shumë.
Së pari evidentohet nevoja për trajnimet jashtë sezonit të stafit të punësuar në hotele, restorante dhe shërbime të tjera. Kjo përveçse do të mundësonte pagesën e tyre edhe jashtë periudhës së verës, do të ndihmonte shumë individë të rrisin aftësitë e tyre drejt profesioneve më të kërkuara.
Pika e dytë lidhet me problemet mbi pronësinë e tokës, që aktualisht pengon projektet madhore turistike. Ndërsa një vëmendje e madhe duhet t’i jepet mbrojtjes së mjedisit, për shkak se natyra, vija bregdetare dhe lumenjtë janë shumë të ndotur nga mbetjet.
Banka Botërore vlerëson edhe turizmin blu, si një potencial ende shumë pak të shfrytëzuar. Kjo si përmes tureve me anije dhe sporteve ujore, ashtu edhe përmes menaxhimit më të mirë të plazheve. (A2 Televizion)