Skënderbeu, “heroi” i Muzeut Historik Kombëtar

Nga A2 CNN
7 Janar 2019, 21:16 | Aktualitet

Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut ka rritur edhe numrin e vizitorëve në muzeun kombëtar. Heroi i shqiptarëve, ishte edhe “heroi” i Muzeut Historik Kombëtar për vitin 2018. Tetë ekspozita, konferenca shkencore e botime rikthyen shqiptarët në këtë vend ku rrëfehet historia, pasi prej vitesh ata që vizitonin më shumë muzeun ishin turistët e huaj.

Drejtori i muzeut historik kombëtar, Dorian Koçi, bën për A2 bilancin e një viti. “Filluam në 17 janar 2018 me ekspozitën Moti i Madh, për të dhënë idenë që lufta e Skënderbeut nuk ishte luftë e një personi por përfshiu popullin për një periudhë pothuajse 100 vjeçare, sa është rezistenca e Arbrit”.

Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Kombëtar

Të shumta sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar ishin edhe dokumentet që për herë të parë prezantonin Gjergj Kastriotin përtej heroit që njohim: “Në nëntor kemi patur një ekspozitë të rëndësishme dhe një leksion albanologjik të Ylli Sulës ku ndodheshin 20 tituj të rinj të Skënderbeut me tituj që shkonin deri ne vitin 1912”.

Viti 2018 ishte ai i kushtuar Skënderbeut, por në 2019 muzeu do të çelë sezonin e aktiviteteve me një ekspozitë për Ismail Qemalin. “Është 100 vjetori i vdekjes, së tij, dhe do të paraqesim aktivitete të ndryshme për ta nderuar”, deklaron Koçi.

Ekspozita e parë e Muzeut Historik Kombëtar çelet për publikun më 17 janar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos