
Skënderbeu, në volejboll për femra, është i pamposhtur. Në ndeshjen e kësaj të enjteje, ekipi korçar mund 3-0 Tiranën.
Seti i parë mjaft i luftuar, por Skënderbeu nuk u dorëzua deri në fund duke e përmbysur rezultatin 27-25 në favor të tij.
Seti i dytë nisi me epërsi që në fillim nga volejbollistet e Skënderbeut që arritën të krijonin edhe një diferencë të thellë prej 10 pikësh. Me po këtë epërsi të thellë u mbyll edhe seti i dytë, i fituar 25-10 nga ekipi korçar.
Edhe seti i tretë vendimtar i kësaj sfidë nisi furishëm me shënimin e pikëve radhazi nga Skënderbeu, duke arritur edhe 8-2 ndaj kundërshtarit, por më pas lëshuan terren ndaj kundërshtarëve. Fitorja e pashmangshme me rezultat të pastër u mbyll në setin e tretë 25-21.
Skënderbeu jo vetëm i nis mbarë betejat për fitimin e titullit kampion në volejboll për femra, por tregon se i mposht ekipet rivale me epërsi të dukshme, i mbështetur nga tifozeria e zjarrtë në shtëpi.
Trofeu, në rast të rivalitetit dhëmb për dhëmb me Tiranën mund të shkojë deri në 5 përballje, por Skënderbeu ka avantazhin se luan një ndeshje më shumë në shtëpi.
Në vitin 1986 ka fituar për herë të fundit titullin kampion në volejboll për femra Skënderbeu dhe tashmë ka shansin të ngrejë trofeun pas 26 vitesh. (A2 Televizion)