Skepticizmi për vaksinën për shkak të keqmenaxhimit botëror, Muka: Duhet bazuar në parametrat epidemiologjikë

Nga A2 CNN
5 Janar 2021, 10:00 | Aktualitet
Skepticizmi për vaksinën për shkak të keqmenaxhimit

Skepticizmin për vaksinën, doktori Taulant Muka e sheh te keqmenaxhimi i pandemisë edhe në nivel botëror. I ftuar në ''Ditari'', në A2 CNN, ai tha se ende nuk dihet nëse vaksinat që po aplikohen do të kenë efekte anësore, por sugjeron që tek Izraeli, ku numri i të vaksinuarve është më i madh duhen studiuar efektet e vaksinës.

“Vaksinat që po aplikohen nuk e dimë nëse do të kenë efekte anësore apo jo, por numri i eventeve nuk është shumë i madh për të garantuar sigurinë dhe efikasitetin. Izraeli ka numrin më të madh të të vaksinuarve dhe aty është eksperimenti i parë botëror. Duhet studiuar për efektet e vaksinës dhe efektet anësore”.

Sipas tij, vaksina duhet bazuar në parametrat epidemiologjikë, por thotë se Shqipëria është mbrapa me mbledhjen e të dhënave.

“Ka pasiguri për grupet që duhet të vaksinohen dhe kjo duhet bazuar në parametrat epidemiologjikë të popullsisë. Të shihet për antitrupa dhe vaksinimi të bëhet tek ato që nuk kanë antitrupa. Ka paqartësi e pasiguri dhe kjo lidhet me keqmanexhimin e pandemisë në tërë botën. Shteti duhet të investojë paratë aty ku ka më shumë sens. Nuk kemi ende të dhëna për tremujorin e fundit, 2020. Paaftësia jonë për të dhënë evidencën shkencore”.

Për shkak të pasigurisë së OBSH-së, shumë shtete në botë apo komitetet e tyre shkencore, Muka thotë se këtë gjë duhet të bëjë edhe Shqipëria.

“OBSH-ja është politike dhe ka lobe që ndikojnë në mënyrën si komunikon. Shumë shtete në botë shfrytëzojnë komitetet e tyre shkencore për shkak të pasigurisë së OBSH-së dhe Shqipëria duhet ta kishte bërë me kohë dhe ende nuk e ka këtë komitet”.

Sa i takon antitrupave, Muka thotë se duhet të priten rezultate për të parë sa zgjat iumuniteti, ndërsa shton se duhen parë dhe strategjitë lokale të vendit tonë, jo të bëhen kopjime si në vendet e tjera.

“Nuk përjashtohet mundësia që imuniteti të zgjasë një vit apo një vit e gjysmë. Një studim kishte treguar që zgjaste për 6 muaj, duhet të presim rezultate nëse ky imunitet zgjat dhe duhen parë strategjitë lokale të vendit tonë. Nuk duhet të bëjmë copy paste, pasi kemi tjetër strukturë. Qasja jonë duhet të jetë e ndryshme nga shumë shtete të tjera perëndimore”.

Ai thotë se vaksinimi në Shqipëri duhet të sigurohet për grupmoshat e rrezikuara që kanë edhe sëmundje të tjera.

“Të dhënat nga Moderna dhe Pfizer kanë treguar se efektet anësore janë më të mëdha seç priten nga një vaksinë gripale.

Të rekomandohet te moshat e rrezikuara se vaksinimi nuk ka treguar parandalimin e sëmundjes, por parandalon zhvillimin e sëmundjes klinike te moshat nga 65 vjeç, që kanë dhe sëmundje të tjera kronike, dhe duhet të sigurojmë vaksinat për këtë grupmoshë të rrezikuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos