Vota e emigrantëve, KQZ me dy variante për hartimin e listës së zgjedhësve

Nga A2 CNN
4 Janar 2021, 16:15 | Aktualitet
Vota e emigrantëve, KQZ me dy variante për hartimin e listës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi dy variantet zyrtare për krijimin e listës së votuesve nga jashtë vendit.

I pari parashikon që emigrantët shqiptarë që duan të ushtrojnë të drejtën e votës nga shteti ku jetojnë, duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së tyre nëpërmjet portalit qeveritar, “e-albania”. Pas regjistrimit të adresës së tyre, emigrantët mund të kërkojnë që emri i tyre të futet te lista e shqiptarëve që do të votojnë jashtë vendit dhe për pasojë, emiri i tyre hiqet nga listat e votuesve në Shqipëri. Dhe të gjitha këto procedura, KQZ parashikon që të bëhen brenda datës 16 mars për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Varianti i dytë parashikon që procedurën e regjistrimit ta bëjë vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmjet një sistemi të posaçëm elektronik, i cili do të përpunojë të dhënat që vijnë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

Edhe në këtë propozim afatet janë të ngushta. Brenda datës 11 mars duhet të bëhet pranimi i kërkesave për regjistrim jashtë vendit dhe deri më 16 mars, shqiptarët që kanë kërkuar të votojnë nga jashtë Shqipërisë do të hiqen nga listat e votuesve brenda vendit.

Këto dy propozime janë hapat e para për të mundësuar votën e emigrantëve dhe puna për këtë proces është ende e madhe pasi KQZ nuk ka specifikuar ende se si do të kryhet ky votim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos