
Trupa diplomatike në Shqipëri i është bashkuar solidarizimit me Ukrainën. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca dhe Ministren e Jashtme Olta Xhaçka kanë zhvilluar një takim me ambasadorin ukrainas në Tiranë, Voladymir Shkurov, të cilit i kanë shprehur nga afër mbështetjen për popullin ukrainas.
“SHBA-të, Shqipëria dhe të tjerët qëndrojnë bashkë me vendosmëri në kërkesën që Rusia të ndalë sulmin e paramenduar, të pajustifikuar, dhe të paprovokuar ndaj Ukrainës.”, shkruan Kim në Twitter.
Edhe ambasadori Soreca shprehu mbështetjen e tij ndaj Ukrainës, ndërsa falënderoi Shqipërinë për dënimin e agresionit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ministrja Xhaçka u zotua për angazhim të plotë të Shqipërisë, për të dënuar agresionin rus e për t'i qëndruar pranë shtetit të Ukrainës. (A2 Televizion)