
Thirrjes publike të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ndaj qytetarëve të huaj për t’iu bashkuar ushtrisë së tij kundër agresionit rus, i është dhënë zë përmes ambasadave të Ukrainës nëpër botë.
Njësoj ka vepruar ambasada e Ukrainës në Shqipëri, që përmes një postimi në Facebook fton vullnetarët që dëshirojnë t’i bashkohen Legjionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, të dërgojnë një e-mail në një adresë të caktuar.
Por a është e mundur ligjërisht që shqiptarët t’i bashkohen, qoftë edhe vullnetarisht, ushtrisë ukrainase?
“Bazuar në legjislacionin tonë, qytetarët shqiptarë mund t’i përgjigjen vetëm moralisht kësaj thirrjeje, pasi që të shkojnë fizikisht dhe të marrin pjesë në një konflikt të armatosur, legjislacioni ynë nuk e lejon”
Kodi Penal shqiptar do të lejonte përfshirjen në luftime vetëm për shqiptarët që janë nënshtetas të Ukrainë ose pjesë e forcave të armatosura të Ukrainës.
Nga ana tjetër Kodi Penal ndëshkon si vepër penale edhe nxitjen, rekrutimin, drejtimin, vënien në dispozicion të pajisjeve ose financimit dhe mbështetjen e shqiptarëve që mund t’i bashkohen luftimeve në Ukrainë.
Për këto veprime parashikohet dënim nga 8 në 15 vite burg. Ndërkohë, thirrjet publike për këtë lloj veprimtarie janë të dënueshme dhe konsumimi i tyre mund të ndëshkohet deri në 3 vite burg. (A2 Televizion)