
Në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, kanë lëshuar mesazhe ndërgjegjësimi kundër dhunës ndaj grave.
Përmes një postimi në Twitter Soreca thotë se dhuna ndaj grave nuk ka vend në BE dhe po punohet për të hetuar aktet e dhunës, për të mbështetur viktimat dhe për të adresuar shkaqet themelore.
“Dhuna ndaj grave nuk ka vend në BE, apo në botë. Ne vazhdojmë të punojmë pa u lodhur me partnerët tanë për të hetuar aktet e dhunës ndaj grave, për të mbështetur viktimat dhe për të adresuar shkaqet themelore”- shkruan ai.
Edhe amabasadorja Kim shkruan në Twitter se në këtë ditë ambasada amerikane do të ndizet portokalli (ngjyra simbolike e fushatës kundër dhunës ndaj grave) për të riafirmuar angazhimin për avancimin e barazisë së grave dhe përfundimin e dhunës ndaj tyre.
“Në ditën e parë të fushatës 16 ditore të aktivizmit kundër dhunës me bazë bjinore, ambasada amerikane do të ndizet portokalli për të riafirmuar angazhimin tonë për avancimin e barazisë së grave dhe përfundimin e dhunës ndaj grave”. (A2 Televizion)