Sot 76 vite më parë, ndodhte tragjedia më e rëndë e historisë detare

Nga A2 CNN
30 Janar 2021, 22:19 | Bota

Kur flitet për tragjedi detare, të gjithë kujtojmë pamjet e skalitura në mendjet tona nga filmi “Titanik”, ku përtej romancës e protagonistëve Jack dhe Rose, përshkruhej tmerri në formë ajsbergu që në vitin 1912 i shkaktoi humbjen e jetës rreth 1500 pasagjerëve dhe ekuipazhit të transoqeanikut britanik.

Por jo të gjithë e dinë që 23 vite më vonë, një tragjedi me dinamikë komplet të ndryshme shkaktoi pothuajse 10-fishin e viktimave të Titanikut të famshëm.

Bëhet fjalë për anijen “Wilhelm Gustloff”, mburrjen e industrisë detare naziste, e përuruar në Hamburg nga vetë Adolf Hitler, në vitin 1937.

Fillimisht destinacioni i anijes gjigante, e gjatë rreth 200 metra, ishte ajo e transoqeanikut luksoz, por fillimi i luftës së dytë botërore e shndërroi fillimisht në anije transporti për trupat, si ato që u dërguan në luftën e Spanjës, dhe më pas si anije-spital.

Tragjedia e “Wilhelm Gustloff” filloi në 30 janarin e vitit 1945. Tashmë regjimi nazist ishte në kolaps të plotë, me Fuhrerin në bunkerin e tij dhe forcat sovjetike që po i afroheshin gjithnjë më shumë Berlinit.  

Anija shërbente për të mbledhur dhe kthyer në shtëpi civilët gjermanë që ndodheshin në Poloni, dhe në vendet e tjera baltike, si Lituania, si dhe personelin mjekësor gjerman.

Kur ndodhej në mesin e ujërave të acarta të detit Baltik, rreth orës 21.08, nëndetësja ruse C-13 e drejtuar nga kapiteni Aleksandr Marinesko iu afrua gjigandit të detit dhe e fundosi me 4 silurë. Në anije ndodheshin jo më pak se 10 mijë persona, ku pothuajse 9 mijë prej tyre u zhdukën përgjithmonë në terrin e asaj nate.  

“Mallkimi” i Wilhelm Gustloff nuk shpëtoi kapitenin sovjetik që e kishte fundosur. Aleksandr Marinesko fillimisht u celebrua nga drejtuesit rus si hero, por pas luftës u akuzua për alkoolizëm, dha dorëheqjen dhe u internua në një kamp përqendrimi në Siberi. Vdiq i vetmuar në Leningrad, Sot Shën Petersburg, në vitin 1963, dhe iu rikthye “nderi” si ushtarak vetëm pas vitit 1990. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos