
Për Afrim Krasniqin, Partia Socialiste, në mandatin e parë arriti të bëjë disa reforma, të cilat deri diku kanë lënë gjurmë. “Ndoshta janë bilanci më i mirë që ajo ka në qeverisje”, tha Krasniqi në “Absolut 4” në A2 CNN. “Në rastin konkret njerëzit janë të zhgënjyer dhe nuk shohin dritë shprese. Dhe është votë dëshpërimi, jo votë shprese. PS ka fituar, por Shqipëria nuk ka fituar. Nuk ka qeverisje më të mirë Shqipëria dhe e ka të pamundur një parti të ofrojë qeverisje më të mirë në mandatin e tretë”.
Sipas analistit, në zgjedhjet e 25 prillit, nuk funksionojë as sistemi, as demokracia e brendshme dhe nuk pati hapësira për zëra të tretë. “Këtu u kthyen dy korporata, fitoi korporata më e fuqishme. Dhe kjo nuk ka lidhje me demokracinë e as me sfidat dhe nevojat që ka Shqipëria, sepse, nëse pretendojmë për të bërë një hap të ri drejt BE, duhet të kishim një zgjedhje të matur, duhet ta kuptonim politikën si nevojë për reflektim, për t’i thënë të vjetërve në politikë që “faleminderit për ç’keni bërë, por largohuni në shtëpi”. Dhe të vijë një brez i ri sipas sistemit të meritës, tek e majta dhe e djathta dhe të vijë një klasë politike që të jetë ë gatshme të përballojë sfidat e BE”.
“Ne sot i themi Europës ndrysho ti, ne nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë. Tani madje kemi filluar t’i themi SHBA-së ndrysho, sepse edhe SHBA duhet të ndryshojë, por ne nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë”. (A2 Televizion)