Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi 63 vite burg në total për katër persona të akuzuar si anëtarë të grupit të Habilajve, mes të cilëve edhe Moisi Habilaj. Dosja hetimore e nisur nga prokuroria e Katanias në Itali, u nda në disa çështje në Shqipëri.
Pjesë e kësaj dosjeje ishte edhe i dyshuari si drejtues i grupit, Moisi Habilaj, i shumëlakuar edhe për shkak të marrëdhënies së largët farefisnore me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. SPAK kërkoi një total prej 63 vitesh burg për ta, por që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 42 vite burg.
Sipas prokurorisë, të pandehurit janë fajtorë për disa episode të trafikut të sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë në vitet 2013-2015. Për llogari të të njëjtit hetim u përballën me drejtësinë 11 persona. Hetimi çoi në bankën e të akuzuarve dhe ish-ministrin Tahiri, i cili u fajësua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda vetëm për “shpërdorim të detyrës”, si edhe 4 ish-zyrtarë të Policisë së Vlorës, vetëm një prej të cilëve i dënuar deri tani për të njëjtën akuzë.
Grupi i Habilajve u gjykua dhe fajësuar edhe nga drejtësia italiane lidhur me trafikun e kanabisit, por Moisi Habilaj u arratis nga masa e “arrestit shtëpiak” para se dënimi të merrte formë të prerë. Bëhet fjalë për 8 sipërfaqe truall, disa apartamente dhe pesë automjete, vlera totale e të cilave shkon në shifrën 82,4 milionë lekë. (A2 Televizion)