
SPAK kërkon pushimin e padisë së presidentit Ilir Meta kundër Ardian Dvoranit. Sipas SPAK, nuk ka vepër penale të konsumuar. Kërkesa do të shqyrtohet nesër në Gjykatën e Posaçme.
Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani ka qenë një prej personave më të sulmuar prej presidentit gjatë viteve të fundit. Meta e akuzonte Dvoranin se kishte dërguar njëkohësisht dy lista për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit dhe Presidencës, sipas tij në kundërshtim me ligjin.
Presidenti e konsideron si kriminale dhe të rrezikshme për rendin kushtetues, dërgimin e vendimeve për botim në Fletoren Zyrtare nga ana e Dvoranit, “me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016”.
Presidenti e akuzonte Dvoranin edhe se po punonte në kundërshtim me ligjin për të zënë një vend si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke vonuar me qëllim caktimin e vendit të fundit vakant.
Dvorani u largua nga Gjykata e Lartë më 11 qershor me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gati 7 vjet pasi kishte përfunduar mandatin. Më pas, ai u caktua me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës. Gjatë detyrës si kreu i KED ai ka pasur shpesh përplasje me presidentin Ilir Meta, sidomos gjatë procesit te emërimeve të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Në shkurt të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si një prej “12 kampionët e antikorrupsionit” në botë, një çmim i ri i nisur nga administrata Biden për të vlerësuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit. Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, tha se ky çmim ishte ngritur nga administrata e re për të nderuar përpjekjet për të luftuar korrupsionin, i cili “kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, pengon rritjen ekonomike dhe minon demokracinë e të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në motivacionin e vlerësimit për Dvoranin dhe 11 të tjerëve, juristë nga Ekuadori, Guatemale, Iraku, Filipinet e Sierra Leone, thuhet se vlerësohet përkushtimi i këtyre individëve për të zbatuar të njëjtat ideale si Shtetet e Bashkuara: përkushtimi ndaj së vërtetës, transparenca dhe llogaridhënia. (A2 Televizion)