
Kombëtarja e Spanjës dhe ajo e Italisë kanë mbyllur ndeshjet e gjashta në grupet eliminatore për Euro 2020, duke siguruar po kaq fitore.
Spanja ka marrë një fitore të lehtë 4-0 ndaj modestëve të Ishujve Faroe. Rodrigo dhe Alcacer shënuan nga dy gola për “La Roja”-n në këtë takim.
Ndërsa Italia arriti një fitore të vështirë, 2-1, në transfertë ndaj Finlandës që mban vendin e dytë në këtë grup. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë shënoi Immobile. Finlanda reagoi me sulmuesin e saj kryesor Puki, i cili shënoi me penallti. Por edhe Italia fitoi një 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol Jorginho, duke i siguruar të kaltërve fitoren e gjashtë në po kaq ndeshje në këto eliminatore.
Kombëtarja e Greqisë, e cila është në grup me Italianë, vijon të bëjë hapa fals duke u ndalur në barazim 1-1 në Athinë nga Lihtenshtejni. (A2 Televizion)