Speciale/ Partizani i vitit 1993, “heronjtë” e çerek shekulli

Nga A2 CNN
1 Qershor 2019, 12:35 | Aktualitet

Një shpërthim i pritur 26 vjet. Entuziazëm për një arritje të munguar gjatë dhe që ishte kthyer në objektivin jetik. Festa e Partizanit ishte legjitime. Tifozët vrapuan në fushë pas derbit të 12 majit, me ekipin që u shpall matematikisht kampion. Dy javë më pas, entuziazmi ishte po i njëjtë. Sërish pushtim i fushës, menjëherë sapo ekipit iu dorëzua trofeu i kampionëve. Të gjithë duke festuar me heronjtë e së tashmes, për një titull që shumëkush e kujtonte nga viti i largët 1993, ndërsa një pjesë në atë vit as që nuk kishin lindur. Protagonistët e titullit të fundit, kanë qenë heronjtë e heshtur të Partizanit. Asnjëherë të harruar për kontributin e dhënë. Gjithmonë pranë ekipit në momentet e bukura dhe të vështira. Ajo e përpara çerek shekulli ka qenë një skuadër e mbushur me yje. Emra të mëdhenj, nga Ylli Shehu, te Avenir Dani, kapiteni Ocelli, Ilir Shulku, Nikolin Çoçlli, Alban Tafaj për të vazhduar me golashënuesin e atij sezoni, Edmond Dosti apo edhe një talent të ri si Ardian Aliaj. Një pjesë e konsiderueshme ishin lojtarë stabël të ekipit Kombëtar, të tjerë në orbitën kuqezi me përfaqësime të herë pas herëshme, por edhe talentë të rinj. Edhe pse një pjesë e yjeve të titullit të fituar në vitin 1987 ishin larguar, pavarësisht periudhës së vështirë në të cilën ndodhej Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe ndryshimit të sistemit, Partizani ishte skuadra më e konsoliduar. Në organizim, emra dhe financa. Demat janë skuadra që historikisht kanë tifozë në të gjithë Shqipërinë. E ndërsa vazhdojnë të kenë tifozë në çdo stadium edhe në këto vite të vështira, me tribunat e boshatisura, në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, atmosfera rreth ekipit ishte fantastike. Ndryshe nga të gjitha skuadrat e tjera, Partizani kishte luksin të zhvillonte turne jashtë Shqipërisë, përballë kundërshtarëve prestigjiozë. Suksesi ishte meritë e projektit të ndërtuar nga ish-trajneri Neptun Bajko dhe e vijuar nga Sulejman Starova, që në atë periudhë ishte në hapat e parë të karrierës në stol. Një skuadër homogjene në moshë dhe në origjinë, pika më e fort e të cilës ishte grupi. Partizani i asaj epoke ishte dominant në kampionat, të kuqtë fituan Kupën, Superkupën si edhe çmimin e golashënuesit më të mirë, me Edmond Dostin, i cili e mbylli kampionatin me 21 gola, përpara një legjende si Kujtim Majaci. Pritja e gjatë, deri në bezdi përfundoi. Te Partizani janë ende të dehur nga festimet e titullit, për një tjetër sezon, që njësoj si në vitin 1993, e dominoi nga fillimi deri në fund. Të kuqtë i gëzohen heronjve të rinj, përkrah të cilëve qëndrojnë gjithmonë idhujt e së kaluarës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos