
Spekulimet për ndryshim kufijsh, Shtetet e Bashkuara i shohin si kërcënim të panevojshëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe rindezjen e konfikteve të mëparshme. Reagimi erdhi nga zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Ned Price.
Në një deklaratë, ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në mbështetje të vendeve të rajonit në rrugën e tyre të integrimit europian dhe anëtarësimit në institucione ndërkombëtare kyçe.
Zëdhënësi nënvizon se Uashingtoni vazhdon të punojë me vendet e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara reformat në qeverisje, shtetin ligjor, përpjekjet antikorrupsion, si dhe për të përkrahur median e pavarur.
“Përshëndesim përparimin që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma me rëndësi kritike dhe vazhdojmë të mbështesim hapjen e negociatave për antarësim në BE me dy vendet në qershor”, vijon deklarata.
Zëdhënësi shpreh gjithashtu përkrahjen e SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që siç thotë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. (A2 Televizion)