Kombëtarja shqiptare rikthehet në atdhe me kokën lart. Kuqezinjtë mbyllën aventurën në europianin e Gjermanisë dhe këtë të martë u kthyen në Shqipëri.
Edhe pse temperaturat ishin të larta, përfaqësuesja shqiptare u prit nga një numër i lart tifozësh në Rinas që kishin ardhur për të përshëndetur djemtë dhe ti falënderonin për të gjitha emocionet që i dhuruan në Gjermani.
Edhe trajneri Silvinjo u shfaq i lumtur më atë çfarë Shqipëria tregoi në arenën europiane. Ai tha se e gjithë kjo aventurë ishte si një ëndërr që nuk do ta harrojë kurrë.
“Jam shumë i lumtur që më kanë mbështetur, jam pjesë e tyre, ndihem shumë mirë dhe i falënderoj. Të luash kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës ishte një gjë e madhe. Për mua dhe lojtarët ishte një eksperiencë e paharrueshme. Lojtarët duhet të kuptojnë që kanë bërë diçka të madhe. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë, jam krenar për çdo lojtar. Ke lojtar të rinj dhe e ardhmja është e bukur. Këto lojtar do ta përfaqësojnë shumë mirë Kombëtaren. Jam pjesë e projektit. Jam shumë i kënaqur në këtë 1 vit e gjysmë që kam punuar. Falënderoj edhe njëherë të gjithë tifozët që na kanë mbështetur.”
Edhe pse përballë kishte gjigandë të futbollit botëror si Spanja, Italia apo Kroacia, kuqezinjtë bënë një paraqitje dinjitoze ndërsa në fund të 3 ndeshjeve, arritën të grumbullonin 1 pikë. (A2 Televizion)